Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se pret që të mërkurën (5 mars) të përfundojë numërimi edhe i votave të fundit, atyre me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara. Këtë ka bërë të ditur, Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi i cili tha se sot KQZ-ja do ta përmbyll procesin e numërimit përmes postës.
Elezi është shprehur po ashtu se sot ka nisur numërimi i votave me kusht.
“Sot pritet të përfundojë procesi i votave me postë. Pastaj sot ka nisur edhe procesi i votave me kusht, e pastaj do të nis numërimi i votave të personave me nevojave të veçanta”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, deri tash janë kryer numërimet nga vendvotimet dhe ato në përfaqësi diplomatike. Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 42 për qind apo 48 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike që doli e dyta në vendvotimet në Kosovë dhe e treta në diasporë, ka 21 për qind apo 24 ulëse.
Lidhja Demokratike e Kosovës u rrit me votat në diasporë dhe në total ka mbërritur në 20 ulëse në Kuvend, me mbi 18 për qind të votave.
Koalicioni AAK-Nisma mbetet me tetë ulëse apo pak mbi 7 për qind të votave, nga numërimet e deritashme.
Janë mbi 15 mijë vota për t’u numëruar në procesin e fundit.