Të gjithë mendojnë se do të thotë ujë i pastër, por e vërteta është ndryshe
A jeni pyetur ndonjëherë nëse uji në pishinë është vërtet aq i pastër sa duket?
“Si imunologe dhe specialiste për sëmundje infektive, studioj se si përhapen viruset dhe bakteret në vende publike dhe si mund të parandalohet kjo. Madje jap një kurs me titull ‘Infeksione gjatë argëtimit’, ku analizojmë rreziqet që lidhen me aktivitetet rekreative, por edhe mësojmë si të mbrohemi“, shkruan Liza Kuchara për Science Alert.
Noti, veçanërisht në pishinat publike dhe parqet ujore, sjell disa rreziqe, nga irritimet e lehta të lëkurës, deri tek infeksionet gastrointestinale. Megjithatë, përfitimet nga noti për shëndetin fizik, mendor dhe social janë të mëdha. Me pak njohuri dhe kujdes, mund të shijoni ujin pa u shqetësuar për atë që mund të fshihet nën sipërfaqe.
E vërteta për patogjenët në pishina
Titujt verorë dhe postimet në rrjete sociale shpesh e përmendin „faktorin e neveritjes“ që lidhet me pishinat publike dhe këto shqetësime nuk janë të pabaza. Lajmi i mirë është se klori, që përdoret gjerësisht në pishina, është mjaft efikas kundër shumë patogjenëve. Lajmi i keq: klori nuk vepron menjëherë dhe nuk i zhduk të gjithë mikroorganizmat, transmeton Telegrafi.
Mikroorganizmat dhe dezinfektuesit
Edhe kur pishina është e klorinuar siç duhet, disa mikroorganizma mund të mbijetojnë në ujë nga disa minuta deri në disa ditë. Njëri nga më të zakonshmit është Cryptosporidium, një parazit mikroskopik që shkakton diarre të ujshme. Ky parazit ka një cipë mbrojtëse shumë rezistente, që i mundëson të mbijetojë deri në 10 ditë edhe në ujë të trajtuar me klor. Përhapet kur jashtëqitjet, shpesh nga një person me diarre, hyjnë në ujë dhe një notues tjetër e gëlltit ujin. Edhe një sasi mikroskopike mund të infektojë dhjetëra persona.
Një tjetër shkaktar i zakonshëm është bakteria Pseudomonas aeruginosa, që shkakton skuqje të lëkurës në vaskat me hidromasazh dhe infeksione të veshit. Po ashtu, viruse si norovirusi dhe adenovirusi mund të qëndrojnë në ujin e pishinës.
Notarët sjellin në ujë substanca të ndryshme trupore djersë, urinë, vajra, qeliza të lëkurës. Sidomos djersa dhe urina reagojnë me klorin dhe krijojnë nënprodukte të quajtura kloramina, që mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin.
Çfarë tregon era e fortë e klorit?
Pikërisht kloraminat janë përgjegjëse për atë erë të fortë klori që shpesh ndjejmë, jo vetë klori. Në të vërtetë, një pishinë e pastër nuk duhet të ketë erë të fortë fare. Është një mit i përhapur që aroma e fortë e klorit do të thotë ujë i pastër – në fakt, shpesh është e kundërta: era e fortë mund të tregojë që uji është i ndotur dhe se pishina nuk është mirëmbajtur siç duhet.
Si të mbroheni në pishinë?
Shumica e rreziqeve në pishina mund të shmangen me disa masa të thjeshta, si nga stafi i pishinës, ashtu edhe nga vetë notarët. Edhe pse infeksionet nga pishina rrallëherë janë kërcënuese për jetën, askush nuk dëshiron ta kalojë pushimin në tualet!
10 këshilla për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve në pishinë:
1️⃣ Bëni dush para se të futeni në pishinë – një dush një minutësh heq shumicën e papastërtive dhe yndyrave nga lëkura, duke rritur efektin e klorit.
2️⃣ Mos hyni në ujë nëse jeni të sëmurë, sidomos nëse keni diarre ose plagë të hapur. Mikrobet përhapen shumë shpejt në ujë.
3️⃣ Shmangni gëlltitjen e ujit të pishinës. Kështu ulni rrezikun që të merrni patogjenë.
4️⃣ Mos notoni nëse keni diarre. Kështu mbroni të tjerët nga infeksioni.
5️⃣ Nëse ju është diagnostikuar kriptosporidioza, prisni të paktën dy javë pasi të kalojnë simptomat para se të ktheheni në pishinë.
6️⃣ Bëni pauza të shpeshta për të shkuar në tualet, kjo vlen për të rritur dhe fëmijë, për të shmangur ‘aksidentet’ në ujë.
7️⃣ Kontrolloni dhe ndryshoni shpesh pelenat e fëmijëve, larg pishinës, për të parandaluar ndotjen.
8️⃣ Thajeni mirë veshët pas notit, për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve të veshit.
9️⃣ Mos hyni në ujë me plagë të hapur, ose mbulojeni me një fashë të papërshkueshme nga uji.
🔟 Bëni dush edhe pas daljes nga pishina, për të larguar mikrobet që mund të kenë mbetur në lëkurë.
Shijojeni notin, por mbani mend: era e fortë e klorit nuk është shenjë pastrie! Një pishinë e mirëmbajtur nuk ka aromë të rëndë dhe, pikërisht kjo është prova më e mirë që uji është i sigurt për të gjithë.