Turqia ka përkujtuar 573-vjetorin e rënies së Kostandinopojës nga Perandoria Osmane, me një sërë aktivitetesh dhe ceremonish në të gjithë vendin.
Përvjetori i një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë osmane dhe turke u shënua këtë vit në të njëjtën periudhë me festën e Kurban Bajramit, duke i dhënë festimeve një simbolikë të veçantë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mori pjesë në lutjet e zhvilluara në Hagia Sophia, ku lexoi edhe fragmente nga Kurani.
Video: https://x.com/milatgazete/status/2060643142894862364?s=46&t=47HjVAEmcEcb33Hue0G28g
Pas ceremonisë, ai u ndal para gazetarëve dhe foli për rëndësinë historike të kësaj dite.
Duke folur në ngjarjet përkujtimore në Stamboll, siç njihet tani qyteti, Erdogan tha se “ka ende njerëz që nuk janë pajtuar kurrë me pushtimin e Stambollit”.
“Pushtimi në vitin 1453 nga Sulltan Mehmeti II osman nuk ishte thjesht një fitore e madhe apo një ngjarje që mbylli një epokë dhe hapi një tjetër, por transformimi i errësirës në dritë në një nga qytetet më të çmuara të botës”, tha presidenti turk.
Ai e përshkroi gjithashtu pushtimin si restaurimin dhe rilindjen e një qyteti, vendet e adhurimit të të cilit ishin “plaçkitur dhe shkatërruar” dhe lagjet e të cilit ishin “shndërruar në këneta”.
“Ishte rindërtimi, ringjallja dhe rilindja e një qyteti”, deklaroi Erdogan.

