I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, këtë javë do të vizitojnë Kosovën dhe në Serbinë.
Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht kjo vizitë dhe nuk është bërë e ditur agjenda, mirëpo Express mëson se Escobar tashmë e ka ftuar për darkë pune kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Burimet e Express nga PDK bëjnë të ditur se darka pritet të mbahet pasditen e së martës në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burime të Express nga PDK.
Këto takime kanë për qëllim që t’i bindin palët për arritjen e një marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

