Telenews

Escobar niset drejt Brukselit për takimin e nesërm Kurti-Vuçiq

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit për Çështjet evropiane dhe euroaziatike, Gabriel Escobar, ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër do të mbahet takimi i radhës mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka konfirmuar të mërkurën Gazetës Online Reporteri.net se Përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka udhëtuar në Bruksel “për ta mbështetur takimin e nivelit të lartë të 18 gushtit të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel, që erdhi si “urgjencë” pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës në mbrëmjen e 31 korrikut, parashihet të zhvillohet të enjten (nesër) prej orës 10:30.

Pjesë e takimit, BE ka njoftuar se pos emisarit të saj special, Miroslav Lajçak, do të jetë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell.

Spanjolli, në fund të takimit do t’u drejtohet mediave me një deklaratë.

Krejt ky organizim po i bën të kënaqur amerikanët të cilët “e mbështesin plotësisht dialogun”, tregon një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Ne jemi të kënaqur që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 18 gusht për të diskutuar mbi dialogun, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në e mbështesim plotësisht dialogun”.

“Është e rëndësishme që të dyja palët ta shfrytëzojnë këtë takim për të avancuar tutje diskutimet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, i tha të mërkurën Gazetës Online Reporteri.net ky zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Një burim i afërt me Qeverinë e Kosovës, të martën, i ka thënë gazetës se Gabriel Escobar gjatë qëndrimit në Bruksel do të ketë edhe një takim ndaras me Kryeministrin Albin Kurti, një ditë para takimit të 18 gushtit.

Nga ana tjetër, vetë presidenti serb, Aleksandër Vuciq, para nisjes për në Bruksel ka njoftuar se gjatë udhëtimit për në “kryeqytetin evropian” do të takohet ndaras edhe me Escobarin.

Një ditë para takimit të radhës Kurti-Vuciq, të dy liderët e vendeve, kanë mbajtur takime ndaras me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po ashtu ka udhëtuar në Bruksel për t’i takuar dyshen.

Të ngajshme

LDK zyrtarisht bojkoton RTK’në: Nuk do të marrim pjesë në asnjë emision apo format

Donat Hashani

BE-ja sërish kërkon që Asociacioni të formohet, nuk i diskuton kushtet e Kurtit

Donat Hashani

Osmani takohet me Kryediplomaten e Islandës, Presidenca tregon çka folën

Donat Hashani