Ndonëse të martën e 23 gushtit, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu ka bërë e ditur për Portali Dukagjini, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, teksa nuk janë bërë të ditura arsyet e mostakimit.
“Nuk ka takim të paraparë për sot”, është shprehur Kryeziu.
Escobar do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas në mbrëmje pritet të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, të cilët i ka ftuar për darkë.
Escobar vjen në Kosovë pak ditë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në takimin e fundit në nivel të krerëve shtetëror nga Kosova e Serbia, i cili kishte zgjatur më shumë se pesë orë, nuk kishte pasur marrëveshje.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, kishte thënë se përkundër mundësisë për një marrëveshje, dialogu duhet të vazhdojë ditëve në vijim.

