Telenews

Evakuohen disa kosovarë nga Izraeli, MPJD jep detaje

Është përmbyllur me sukses evakuimi i disa qytetarëve të Kosovës nga territori izraelit, përmes Jordanisë dhe Egjiptit, pasi u përshkallëzua situata mes Izraelit dhe Iranit. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se kjo u bë në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael.

Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael.

“MPJD shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e procesit nga ana e autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve”, thuhet në njoftim.

Ky institucion shton se po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, ku së fundmi është raportuar për një sulm.

“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”.

Më tej theksohet se një qytetar tjetër i Kosovës është aktualisht në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës. Sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim.

“Duke qenë se situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta”, thuhet në njoftim.

Ju lutemi që me përpikëri të ndiqni udhëzimet dhe paralajmërimet e publikuara nga Komanda e Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit. Udhëzimet janë të përditësuara dhe të disponueshme në gjuhën angleze në linkun zyrtar:

https://www.oref.org.il/eng

Për çdo pyetje, shqetësim apo nevojë urgjente për ndihmë, ju lutemi të kontaktoni Ambasadën në:
+972 (0) 586 340 450;
 email: embassy.israel@rks-gov.net.

Të ngajshme

Pasagjerët “në alarm”, pas shembjes së një pjese të çatisë në Aeroportin e Palma de Mallorca në Spanjë

Valjeta Turkaj

Tiranë, në pikë të ditës futet me forcë një person në makinë, arrestohet i dyshuari

Valjeta Turkaj

Irani thotë se qendrat e tij bërthamore “u dëmtuan keqas” nga sulmet izraelite dhe amerikane

Valjeta Turkaj