Manchester United dhe Chelsea janë shumë afër finalizimit të një marrëveshjeje që mund të arrijë deri në 45 milionë euro për sulmuesin e krahut Alejandro Garnacho, raporton Fabrizio Romano.
Argjentinasit i është bërë e qartë se nuk bën pjesë në planet e trajnerit Ruben Amorim në Old Trafford.
Fillimisht, United e kishte vlerësuar lojtarin me rreth 55 milionë euro, një shumë e ngjashme me atë që Arsenal pagoi për Noni Madueke.
Megjithatë, Chelsea ka arritur të bindë rivalët e Ligës Premier që të ulin çmimin, duke marrë parasysh situatën aktuale të lojtarit.
“Blutë” e Londrës janë të gatshëm të investojnë, duke parë përvojën dhe potencialin afatgjatë të Garnachos në Ligën Premier.
Klubi ka kryer verifikime të hollësishme mbi karakterin e tij dhe është shfaqur i kënaqur me rezultatet.
21-vjeçari, ndërkohë, është i vendosur të gjejë më shumë hapësira në fushë, në mënyrë që të rrisë shanset për të qenë pjesë e kombëtares së Argjentinës në Kupën e Botës verën e ardhshme. /Telegrafi/