Telenews

Facebook heq faqen që ngacmonte agjentët e ICE në Çikago, pas kërkesës së Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së

mark-zuckerberg-ngre-padi-ndaj-facebook

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi të martën se kompania Meta ka përmbushur kërkesën e saj për të hequr një faqe në platformën Facebook, e cila, sipas agjencisë, po përdorej për të ngacmuar agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Çikago.

Në një postim në X, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se faqja ishte pjesë e një përpjekjeje për të “doksuar dhe synuar” afërsisht 200 oficerë të ICE-së që kishin mbërritur në qytet, si pjesë e fushatës së presidentit Donald Trump për zbatimin e ligjit mbi imigracionin. (Doksim nënkupton publikimin e informacionit personal të individëve në internet.)

Një zëdhënës i Meta-s konfirmoi se kompania e kishte hequr faqen nga Facebook për “shkelje të politikave tona kundër dëmit të koordinuar”.

Më herët këtë muaj, Apple kishte hequr aplikacione që u lejonin përdoruesve të gjurmonin lëvizjet e agjentëve të ICE-së, pas presionit nga administrata Trump. Edhe Google ka ndaluar aplikacione të ngjashme, ndërsa administrata ka kërcënuar të ndjekë penalisht krijuesit e këtyre aplikacioneve.

ICE ka qenë në qendër të politikës së ashpër të imigracionit të ish-presidentit Trump. Agjentët e saj kryejnë bastisje dhe arrestime të rregullta të migrantëve, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut pretendojnë se shpesh po shkelen liria e fjalës dhe procesi i rregullt ligjor.

Administrata ka akuzuar protestuesit e krahut të majtë për ngacmim dhe ndërhyrje ndaj agjentëve të ICE-së, megjithatë Bondi nuk ka ofruar prova për incidente të veçanta të lidhura me faqen e Facebook-ut.

Meta dhe kompani të tjera teknologjike janë përpjekur të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me Trump, që prej rizgjedhjes së tij në nëntor.
Kompania ka kontribuar 1 milion dollarë në fondin e inaugurimit të presidentit dhe ka hequr disa nga programet e saj për diversitet dhe verifikim faktesh.

Meta gjithashtu pranoi t’i paguante Trump-it 25 milion dollarë për të zgjidhur një padi të ngritur ndaj kompanisë lidhur me pezullimin e llogarive të tij pas sulmit në Kapitol më 6 janar 2021.

Prania e ICE-së në Çikago është kundërshtuar nga kryetari demokrat i qytetit, Brandon Johnson, dhe guvernatori demokrat i Illinois, JB Pritzker.
Më herët këtë muaj, Johnson nënshkroi një urdhër që ndalon agjentët e ICE-së të përdorin pronat në pronësi të qytetit si zona përgatitore për operacione, ndërsa disa biznese lokale kanë vendosur tabela që shpallin se lokalet e tyre janë “të ndaluara për ICE-në”.

Të ngajshme

Toyota dëshiron të krijojë “dronë shoqërues” për makinat në terrene të vështira

KushtrimGuraj

Meta zgjeron përkthimin me Al, shton dy gjuhë të reja

KushtrimGuraj

Supervetura gjermane me një stil unik, kushton 2.95 milionë euro

KushtrimGuraj