Filmi biografik mbi jetën e Michael Jackson, ku rolin kryesor e luan nipi i Mbretit të Pop-it, është përballur me vonesa dhe rishikime të mëdha për shkak të përshkrimit të një prej personave që e kanë akuzuar atë për abuzim seksual me fëmijë.
Producentët e filmit, me një buxhet prej 150 milionë dollarësh(142 milionë euro), janë detyruar të rixhirojnë skena kyçe që shkelin një marrëveshje ligjore të vitit 1994 me familjen e Jordan Chandler, një nga akuzuesit e Jackson.
Raportohet nga mediet amerikane se projekti është shtyrë për të paktën gjashtë muaj, shkruan The Times.
Skenat që janë cilësuar problematike përfshijnë portretizimin e Chandler, i cili në vitin 1993, në moshën 13-vjeçare, ishte i pari që akuzoi Michael Jackson për abuzim seksual.
Producenti britanik Graham King, i njohur për sukseset e tij me filmat si “Bohemian Rhapsody” dhe “The Aviator”, ka shkelur thuhet marrëveshjen ligjore me Chandler në përpjekjen për të rrëfyer historinë e Mbretit të Pop-it.
Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për mënyrën se si historia komplekse e këngëtarit legjendar do të trajtohet në film, ndërsa fansat presin me kuriozitet përfundimin e projektit. /Telegrafi/