Pas rikthimit nga huazimi te SV Elversberg, Fisnik Asllani ka vendosur të vazhdojë karrierën te TSG Hoffenheim.
Sipas asaj që raporton Transfermarkt, sulmuesi 22-vjeçar do të nënshkruajë të dielën kontratë të re që e mban të lidhur me klubin deri në verën e vitit 2029. Kështu, Werder Bremen – që kishte shfaqur interes serioz për lojtarin, nuk ka arritur ta bindë për transferim.
Një bisedë me trajnerin e ri të Hoffenheim, Christian Ilzer, ka qenë vendimtare në këtë vendim. Ilzer i ka garantuar Asllanit se do të jetë pjesë e rëndësishme e projektit për sezonin e ardhshëm.
Asllani iu bashkua Hoffenheimit në vitin 2020 nga akademia e Union Berlin, fillimisht duke u aktivizuar me ekipin U23. Pas një kohe të shkurtër, ai u bashkua me ekipin e parë dhe më vonë u huazua te Austria Vjena dhe së fundmi te Elversberg në Bundesliga 2.
Te Elversberg, Asllani shkëlqeu me 18 gola dhe 9 asistime, duke udhëhequr ekipin drejt ndeshjeve të “play-off”-it për ngjitje në elitë kundër Heidenheim.
Në dy ndeshjet e “play-off”-it, ai realizoi një gol dhe dhuroi një asist, ndonëse Elversberg nuk arriti të promovoj.
Falë këtij sezoni të jashtëzakonshëm, vlera e Asllanit në Transfermarkt është rritur në 8 milionë euro – dhjetëfish më shumë se më parë.