Telenews

Fondi i Sigurimit Shëndetësor, Hoti: Propagandë e pushtetit, ligji e parasheh që nga 2014-ta

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti e ka quajtur propagandë të pushtetit njoftimin për themelimin e fondit për sigurim të detyrueshëm shëndetësor.

Ish-kryeministri i vendit, ka thënë se një ligj i tillë ekziston që nga viti 2014, por sipas tij, ai nuk është zbatuar për më shumë se 10 vjet.

“Propaganda mund të krijojë tituj për një ditë, por nuk mund të fshehë faktin se pas pesë vitesh pushtet, sigurimi shëndetësor vazhdon të jetë premtim, jo realitet.”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se nëse pas pesë vitesh pushtet, arritja më e madhe është riemërtimi dhe ripaketimi i një fondi të paraparë me ligj para një dekade, atëherë sipas tij, kjo dëshmon për dështimet e kësaj qeverie e jo për sukseset e saj.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse, pas pesë vitesh qeverisje absolute, sigurimet shëndetësore ende nuk janë funksionalizuar. Qytetarët kanë të drejtë të dinë kur do të fillojë pagesa e faturave shëndetësore përmes fondit dhe cilat shërbime dhe barna do të mbulohen.”, ka thënë Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, sikur sigurimet shëndetësore të ishin funksionalizuar, kjo do të ishte e barabartë me rritjen e të ardhurave të familjeve me rreth 100 euro në muaj apo rreth 1200 euro në vit.

Të ngajshme

Gjashtë shenja fizike të stresit që nuk duhet t’i injoroni kurrë

Rrezarta Ramaj

Diomande josh PSG-në, Liverpooli në pritje – talenti i Leipzigut pranon: “E kam dashur Parisin që fëmijë”

Rrezarta Ramaj

Haradinaj mbështet protestën studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

Rrezarta Ramaj