Telenews

Francë: Macron dënon “dhunën kundër Republikës”

Presidenti francez Macron bëri thirrje për qetësi pas dhunës së mbrëmshme dhe e dënoi dhunën. Dhjetëra mijëra policë do të vendosen në të gjithë vendin natën e ardhshme.

Zjarri dhe rreziku i shpërthimit në një central elektrik në Nanterre, një stacion policie i sulmuar në Trappes, një tramvaj i djegur plotësisht në Clamart, videokamera kundër të cilave hapet zjarr me armë, një kopsht fëmijësh në zjarr, zjarre në bashki, kazanë plehrash të djegura në Rrethinat e Parisit – këtu ishin veçanërisht të dhunshme trazirat e mbrëmshme. U dëgjuan thirrje “Drejtësi për Nahelin” dhe “Policia po vret”. U bënë dhjetëra arrestime.

Zemërimi për ndërhyrjen vdekjeprurëse të policisë ndaj 17-vjeçarit Nahel ka shpërthyer në të gjithë Francën. Lille, Roubaix, Amiens, Dijon, Nice ose Toulouse – më shumë se 20 qytete në të gjithë Francën janë prekur nga protestat. Makinat e policisë, bashkitë dhe qendrat sociale u dëmtuan në disa vende rëndë. Në Villeurbanne, pranë Lionit, 35 persona u desh të strehohen në siguri, pasi ndërtesa e tyre u dogj nga fishekzjarrët. Janë mobilizuar gjithsej 2000 nëpunës civilë. 150 persona u arrestuan.

Macroni bën thirrje për qetësi dhe përkujtim

Presidenti francez Emmanuel Macron u nis në mëngjes nga Pallati Elysee dhe vajti disa metra më tutje në Ministrinë e Brendshme, ku drejtoi një shtab krize. “Qetësia dhe përkujtimi duhet të udhëheqin orët e ardhshme dhe marshimin e bardhë të kujtimit,” paralajmëroi ai. Nëna e 17-vjeçarit të vrarë ka bërë thirrje për një marsh përkujtimor veshur me të bardha. Ai duhet të jetë gjithashtu një shenjë revolte.

Por ka qartësisht një përpjekje për t’i shfrytëzuar ngjarjet, paralajmëroi Macroni. Orët e fundit qenë karakterizuar nga “skenat e dhunës ndaj komisariateve, por edhe ndaj shkollave dhe bashkive, pra ndaj institucioneve dhe Republikës”. Macron kritikoi: “Asgjë nuk mund ta justifikojë këtë”.

Prania e policisë do të forcohet masivisht

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin njoftoi një reagim “të vendosur” të shtetit ndaj teprimeve. Masat e sigurisë do të përforcohen masivisht në të gjithë vendin.

Natën e ardhshme, 40.000 policë pritet të vendosen në të gjithë Francën, më shumë se katër herë më shumë se një natë më parë. Vetëm në rajonin e Parisit, 5000 policë duhet të jenë në detyrë. Natën e së mërkurës deri të enjten, 2000 oficerë policie ishin vendosur në Paris dhe rrethinat e tij, dhe sipas agjencisë së lajmeve Reuters, rreth 9000 forca policie ishin mobilizuar në të gjithë vendin. Sipas Darmanin, të paktën 170 oficerë të zbatimit të ligjit u plagosën, por asnjë nuk ishte në rrezik për jetën.

Hetim për vrasje nga pakujdesia

Një hetim zyrtar për dyshimin e vrasjes nga pakujdesia ka nisur ndaj oficerit të policisë që dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj të riut 17-vjeçar, tha prokuroria e Nanterës. Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit.

Prokurori publik, Pascal Prache, tha se autopsia kishte “konfirmuar” shkakun e vdekjes, përkatësisht një e shtënë e vetme, e qëlluar në gjoks nga krahu i majtë. Gjatë kontrollit në makinë nuk u gjetën lëndë të rrezikshme apo lëndë narkotike.

Sekuenca e ngjarjeve mundi të rindërtohej në bazë të regjistrimeve nga kamerat e vëzhgimit, videove amatore dhe dëshmive. Për momentin hetuesit besojnë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës së zjarrit. Polici 38-vjeçar ka treguar se ishte në rrezik, veçanërisht për shkak se makina e 17-vjeçarit ishte ndezur.

Që nga e mërkura, kryeministrja Élisabeth Borne ishte shprehur kështu mjaft qartë, pa pritur rezultatet e hetimit: “Imazhet tronditëse tregojnë një ndërhyrje nga organet e rendit, që duket qartë se nuk përputhet me rregullat.

Naheli ishte furnizues për pica, sipas avokatëve nuk qe dënuar më parë, por kishte rënë në sy për shkelje të vogla si udhëtime pa leje drejtimi të automjetit. Në një klub Regby, që punon për integrimin social, ai bënte sport. Klubi “Ovale Citoyen” shkroi në twitter:”Naheli vdiq në Nanterre. Ai kishte nisur te ne një kurs integrimi. Ai donte të ndërtonte një të ardhme të re. Më shumë se kurrë më parë ne duhet të angazhohemi për të kthyer një minimum shprese dhe për të besuar sërish te barazia në republikë.”

Të ngajshme

Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem

Erzana Fazliu

Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fillim të vitit të ardhshëm

Erzana Fazliu

Getinjo dhe Mozziku sot nisin ditën në këtë vend të shenjët

Erzana Fazliu