Nënkryetari i Listës Serbe, përmes një videomesazhi, i ka njoftuar serbët e Kosovës se është kthyer, madje thotë se nuk do të zmbrapset.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiq nga Leposaviqi në videon e publikuar nga mediumi serb “Alo”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy muaj më parë, i kishte çuar selam Milan Radojçiqit, që dyshohet për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, që të dorëzohet te organet e drejtësisë.
Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq, krahas gjashtë të dyshuarve të tjerë, janë të dyshuar si urdhër dhënës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Të dy, Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq (dhe vëllai i tij), bashkë edhe me disa serbë të tjerë nga Kosova janë pjesë e ‘listës së zezë’ të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

