Lëvizja Vetëvendosje nuk po jep shenja as që ka marrëveshje me partitë tjera për t’ia votuar të mandatuarin për kryeministër e as se seancën do ta thërrasin para të mërkurës së 19 nëntorit, e cila është data e fundit për qeveri të re, ose zgjedhje të parakohshme. Nga ish-blloku opozitar, Vetëvendosje nuk po gjen mbështetje as për themelimin e komisioneve të përhershme, për të cilat janë në vijë me qëndrimet e presidentes, Vjosa Osmani.
Sipas presidentes, Vjosa Osmani, nëse ekziston vullneti nga partitë politike, shumë shpejt mund të bëhet zgjidhje edhe për pagat për punëtorët e RTK-së edhe për miliona euro fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, por edhe për milionë të tjera që vijnë nga marrëveshja me Bankën Botërore.
Ajo insiston se themelimi i komisionit për buxhet dhe financa është rrugëdalja e vetme, iniciativë e saj por që ka hasur në refuzim dhe kritika.
“Nuk ka asnjë arsye që partitë politike të bllokojnë formimin e komisioneve. Kushdo që ju thotë të kundërtën, është duke ju gënjyer. Nuk ka asnjë komplikim për krijimin e institucioneve, të jeni të sigurt. Kushdo që thotë se është e pamundur, është duke ju gënjyer“, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente.
Përpos për nismën për komision, Osmani ka qenë optimiste edhe se seanca për votimin e Qeverisë do të thirrej para të mërkurës kur është data e fundit, por edhe në këtë pikë nuk dolën pritjet e saj.
“Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët. Për 9 muaj i kemi pritur. Tani po i vjen fundi gjithë procesit dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë Vjosa Osmani – Presidente.
Seanca e jashtëzakonshme mund të thirret me 40 nënshkrime, fuqi të cilën e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Se kur do të mbahet kjo seancë nuk treguan disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes me të cilët komunikuam gjatë ditës.
As kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në një deklarim për televizioni T7 nuk ka dhënë ditë të saktë, duke cilësuar diçka tjetër më urgjente sesa formimi i Qeverisë së re.
“Kemi ende dy ditë deri në seancën e kuvendit për mandatin e ardhshëm. Ajo që besoj se është urgjente për shtetin e Kosovës është formimi i komisioneve parlamentare. Janë katër komisione të përhershme, komisioni për buxhet, punësim dhe transfere, komisioni për integrimin evropian, komisioni për komunitete dhe kthim dhe komisioni për legjislacion. Tani që e kemi konstituuar kuvendin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e nëntë, është një gabim politik dhe një dëm financiar dhe social të mos vazhdojmë më tej në Kuvendin e Republikës, në të cilin rast formimi i komisioneve parlamentare është rruga e duhur përpara. Nuk ka çështje më urgjente se kjo, ndërsa sigurisht periudha 15-ditore është e vlefshme deri të mërkurën”, ka thënë Albin Kurti – Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike vlerësojnë se bllokimi 9 mujor i Kuvendit por edhe i shumë proceseve të tjera ka mundur të shmanget, dhe barrën kryesor të fajit sipas tyre e mbanë partia fituese e zgjedhjeve.
Në rast se të mërkurën Konjufca nuk i merr 61 vota, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, më së largu në javën e tretë të muajit dhjetor.

