Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se në Qendrën Korrektuese të Dubravës gjatë kontrollit rutinor të vizitorëve është parandaluar tentimi i futjes së substancave të dyshuara narkotike.
Gjatë bastisjes nga stafi korrektues, në njoftim thuhet se në një pampers janë zbuluar dy qese të bardha transparente me substancë të dyshuar narkotike.
“Menjëherë pas zbulimit, vizita është anuluar dhe është njoftuar Policia, përkatësisht njësia përkatëse hetimore në Pejë”, thuhet në njoftim.
Ndaj të burgosurit që dyshohet se ndërlidhet me rastin janë ndërmarrë masa disiplinore dhe i njëjti është transferuar në tretman themelor deri në përfundim të hetimeve.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit institucional në të gjitha institucionet korrektuese”, njoftoi ShKK.

