Policia e Kosovës ka gjetur një raketahedhës të tipit M80 me kalibër 64mm gjatë patrullimit në zonën kufitare me Serbinë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Ai bëri të ditur se fillimisht policia kishte hasur në një qese najloni për të vërejtur më pas se kishte të bënte me një raketahedhës.
“Sot, me datën 03.02.2025, rreth orës 16:00, ndërsa policët ishin duke patrulluar në zonën kufitare në bazë të informacioneve për rrugë alternative të përdorura për kontrabandë të mallrave, ata hasën në një qese najloni të zezë që duket e dyshimtë. Pas arritjes në vendngjarje e ekipit të forenzikës rajonale, u vërtetua se kemi të bëjmë me një raketahedhës M80 me kalibër 64mm,” tha Elshani.
Zona ku u gjet raketahedhësi ndodhet shumë afër kufirit me Serbinë.
Deri më tani, nuk janë identifikuar të dyshuar ose të arrestuar në lidhje me këtë rast.