Telenews

Gjenerali serb i ankohet Admiralit të NATO-s pse Aleanca po e mbështet Ushtrinë e Kosovës

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, është takuar sot në Beograd me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi.

Diskutimet në takim kanë trajtuar situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe marrëdhëniet reciproke në mbarë botën dhe në përgjithësi, duke u fokusuar në bashkëpunimin ndërmjet FA të Serbisë dhe KFOR-it.

Mojsiloviqi është ankuar në lidhje me ofrimin e mbështetjes për Ushtrinë e Kosovës nga ana e vendeve anëtare të NATO-s.

“Ofrimi i mbështetjes për zhvillimin e të ashtuquajturës ‘Forca e Sigurisë së Kosovës’ nga disa vende të NATO-s, veçanërisht ato që kanë kontingjente në kuadër të KFOR-it, nuk është në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare dhe nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe ruajtjen e paqes në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, citohet të ketë thënë Mojsiloviqi.

ndërkaq, Admirali Bauer ka theksuar se “Republika e Serbisë, duke qenë një lider rajonal veçanërisht në fushën e sigurisë, është një partner i rëndësishëm për NATO-n”, dhe ka shtuar se “Aleanca Veriatlantike mbetet e hapur për nivelin e zgjedhur të bashkëpunimit nga ana e Serbisë”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga FA të Serbisë, thuhet se admirali Bauer ka shfrytëzuar rastin “të falënderojë gjeneralin Mojsiloviq për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional ndërmjet Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”.

Të ngajshme

Çeku akuzon Ramën se tentoi të mashtrojë një investitor – ky ia tregon kërkesën që iu refuzua nga Ministria e Sveçlës

KushtrimGuraj

Radomiroviq thotë se ishte dëshmitar i rastit të rrëmbimit të serbit në kufi: E bëri grupi i Radoiçiq

KushtrimGuraj

Sindikatа e punëtorëve të RTK-së proteston me 6 nëntor

Donat Hashani