Parlamenti Federal gjerman (Bundestag) në lexim të dytë ka vendosur për vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehrit (Ushtrisë Gjermane) në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kështu ka njoftuar ministria Federale e Mbrojtjes e Gjermanisë, e cila theksoi se KFOR-i po siguron ushtarakisht paqe për vendin.
MPB-ja gjermane thotë se që nga fillimi i misionit të KFOR-it, situata në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është stabilizuar, teksa përmendin edhe dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel për të normalizuar marrëdhëniet.
Por, kjo ministri thotë se raportet mes dy vendeve karakterizohen nga ulje-ngritje, teksa përmendin edhe potencialin ekzistues për konflikt e përshkallëzim.
“Ende ekziston potencial për konflikt dhe përshkallëzim. Në vitin 2023, për shembull, pati incidente të dhunshme në të cilat ushtarë dhe civilë të KFOR-it u plagosën, disa prej tyre rëndë. Në fund të nëntorit 2024, një sulm me eksploziv u krye në furnizimin qendror me ujë dhe energji elektrike të vendit. Kjo tregon se tensionet e vjetra mund të shpërthejnë përsëri në çdo kohë në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, e cila është kryesisht e banuar nga serbë etnikë”, thotë MPB-ja gjermane, raporton Klankosova.tv.
Ministria gjermane e mbrojtjes thotë po ashtu se “për shkak të tensioneve ekzistuese, stabilizimi nga KFOR-i dhe kështu prania e Bundeswehrit në rajon është ende i nevojshëm”.
“Bundeswehri shihet atje si garantues sigurie dhe si një plotësues i strukturave të sigurisë. Kjo është arsyeja pse Gjermania po e mbështet këtë mision brenda kornizës së NATO-s/Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut për ruajtjen ushtarake të paqes në rajonin e Ballkanit”.
“Ky është parakushti për zhvillime të mëtejshme politike, sociale dhe ekonomike në Republikën e Kosovës – deri në dhe duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Të dy vendet mund të përmirësojnë kështu edhe perspektivat e tyre të anëtarësimit në BE. Në përgjithësi, stabiliteti dhe paqja e qëndrueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor janë me interes të madh për Gjermaninë, për NATO-n dhe për Evropën në tërësi”, tha MPB-ja gjermane.
Nëse angazhimi i forcave gjermane në Kosovë është ende e nevojshme, “qeveria federale do t’ia paraqesë mandatin përsëri parlamentit vitin e ardhshëm për një vendim”.
MPB-ja gjermane theksoi se tavani i personelit deri në 400 ushtarë do të mbahet i pandryshuar.