Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe sivjet do t’i subvencionojë qiranë e banimit për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.
Tashmë Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit ka hapur thirrjen për aplikim e cila mbyllet më 30 janar të këtij viti.
Të drejtë aplikimi kanë familjet rezidente në Komunën e Gjilanit, të cilat nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.
Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se po e vazhdojnë mbështetjen ndaj këtyre familjeve.
“Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, tha Hyseni.
I pari i Gjilanit ftoi të aplikojnë të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim, duke shtuar se kanë mbetur edhe pak ditë nga afati për aplikim.

