Telenews

Gjykata e Prishtinës dënon me nga 15 vjet burgim dy serbë për dhunë seksuale dhe krime të tjera

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga 15 vjet burgim Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë për dhunë seksuale gjatë luftës.

Gjykimi ndaj tyre është mbajtur në mungesë. Ata akuzohen se kanë dhunuar seksualisht një grua shqiptare gjatë luftës dhe kanë marrë pjesë në dëbimin e civilëve shqiptarë për plaçkitjen e tyre si dhe për dhunë fizike dhe psikike ndaj civilëve, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Speciale e Kosovës e mirëpriti vendimin e Themelores.

“Vendimi i sotëm shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, u tha në njoftim.

Kjo prokurori i ftoi qytetarët, institucionet dhe viktimat e dhunës seksuale që të vazhdojnë denoncimin e këtyre rasteve.

Aktakuza ndaj Rajkoviqit dhe Deniqit u ngrit në nëntor të vitit 2023. Sipas aktakuzës, ata akuzohen se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, gjatë “një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare” në territorin e komunës së Prishtinës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, morën pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre. Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore ata kanë dhunuar seksualisht një grua të nacionalitetit shqiptar.

Ky është rasti i tretë i shqiptimit të aktgjykimit dënues për raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Ndryshe, mbajtja e gjykimeve në mungesë mundësohet pas ndryshimeve ligjore të bëra më 2022. Sipas këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të mbahet një gjykim i tillë, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për të siguruar prezencën e të akuzuarve në gjykatë.

Të ngajshme

Kelmendi: Gjykata Speciale s’e hoqi asnjë pyetje që ia kam dërguar Thaçit

KushtrimGuraj

Trupi i mërgimtarit 33 vjeçar ende s’është gjetur, Policia apel qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura e Ujmanit

KushtrimGuraj

Alarmon eksperti: Sinjalizimi mungon në 95% të rrugëve lokale dhe 40% të atyre regjionale (VIDEO)

Donat Hashani