Telenews

Gjykata e Prishtinës me njoftim pas caktimit të paraburgimit ndaj Ridvan Muharremit dhe 2 zyrtarëve të MINT

Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve për dallavere me rezervat e shtetit.
Gjykata në njoftim ka sqaruar se dy zyrtarët e MINT dyshohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare, derisa Ridvan Muharremi dyshohet se ka kryer veprën dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurit I.L dhe H.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i pandehuri R.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e ProkurorisëSpeciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit I.L, H.G dhe R.M, të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin. Masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 e1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, theksohet në njoftim.

Në fund, Gjykata ka sqaruar se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngajshme

Përplasje trenash në Danimarkë, raportohet për të lënduar

Valjeta Turkaj

Djali hodhi statujën nga ballkoni dhe la të vdekur turisten, prindërit ndiqen penalisht për vrasje

Valjeta Turkaj

Tahiri i AAK-së: Nuk marrim pjesë në seancën për president ku propozohen dy kandidatë prej një partie

Valjeta Turkaj