Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtjes së Ardian Krasniqit dhe ka ndryshuar masën e paraburgimit ndaj tij, duke e zëvendësuar me arrest shtëpiak. Sipas aktvendimit të datës 1 tetor 2026, Krasniqi do të qëndrojë në arrest shtëpiak deri më 23 tetor 2026, ndërsa gjatë kësaj kohe nuk lejohet të largohet nga adresa e banimit pa leje të gjykatës.
Ardian Krasniqi po përballet me procedurë penale për disa vepra, ndër to ushtrimin e ndikimit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.
Vendimi i Supremes erdhi pas ankesës së mbrojtjes ndaj vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, me të cilat ishte vazhduar paraburgimi ndaj tij.
Çfarë vendosi Supremja?
Në aktvendimin e nënshkruar më 1 tetor, kolegji i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjyqtarët Mejreme Memaj, Burim Ademi dhe Afrim Shala, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorit profesional Bujar Balaj, vendosi se kërkesa e mbrojtjes për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar.
Si rrjedhojë, masa e paraburgimit ndaj Krasniqit u zëvendësua me masën e arrestit shtëpiak, e cila është caktuar deri më 23 tetor 2026.
Gjykata ka përcaktuar edhe disa kufizime konkrete. Krasniqi nuk guxon të largohet nga adresa e banimit, përveç rasteve kur ka leje të posaçme nga gjykata. Gjithashtu, atij përkohësisht i konfiskohen dokumentet e udhëtimit – pasaporta.
Për zbatimin, mbikëqyrjen dhe verifikimin e masës së arrestit shtëpiak është ngarkuar Stacioni Policor në Malishevë. Nëse Krasniqi nuk i respekton kushtet e vendosura, gjykata mund t’i caktojë sërish masën e paraburgimit.
Çfarë kërkoi mbrojtja?
Avokatja e Ardian Krasniqit, Bedrie Rexhepi, në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, kishte kundërshtuar vendimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë për vazhdimin e paraburgimit.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, gjykatat më të ulëta nuk kishin zbatuar siç duhet dispozitat e Kodit të Procedurës Penale lidhur me kushtet për vazhdimin e paraburgimit dhe nuk kishin vlerësuar siç duhet pretendimet e mbrojtjes.
Mbrojtja kishte kërkuar që Gjykata Supreme t’i aprovonte pretendimet, të konstatonte shkeljet e pretenduara dhe të ndryshonte vendimet e mëparshme, duke e zëvendësuar paraburgimin me një masë më të butë ose me një masë tjetër alternative.

