Telenews

Gjyqtari Daut Mehmeti lirohet nga të gjitha hetimet për kurdisje të ndeshjeve

Një prej gjyqtarëve më të mirë në historinë e basketbollit kosovar sa i përket njohurive rreth kësaj zeje, Daut Mehmeti ka marrë sot një lajm fantastik nga organet e drejtësisë.

AsistiOnline.com ka mësuar ekskluzivisht se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarit Daut Mehmeti, i cili ishte nën hetim për veprën penale “Kurdisja e ndeshjes ose sportit” nga neni 337 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të datës 08.08.2025, Prokuroria ka vlerësuar se “nuk ekziston asnjë fakt apo provë që të pandehurit e kanë kryer veprën penale”. Hetimet përfshinë analizimin e komunikimeve telefonike, deklaratat e dhëna gjatë marrjes në pyetje, si dhe shqyrtimin e materialeve të tjera të mbledhura, por nuk u gjetën elemente që mbështesin dyshimet për manipulim të rezultateve sportive.

Në deklarimin e tij para hetuesisë, Daut Mehmeti e ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në ndonjë skenar të kurdisjes së ndeshjeve, duke theksuar se njohjet me kolegët ishin profesionale dhe të natyrshme për shkak të angazhimit të tij të gjatë në basketbollin vendor dhe ndërkombëtar.

Prokuroria ka theksuar gjithashtu se pas shqyrtimit të deklaratave të dëshmitarëve, analizimit të pamjeve filmike, komunikimeve në rrjete sociale, dokumentacionit të FIBA-s, si dhe verifikimit të transaksioneve bankare të pretenduara në NLB Bank dhe Western Union, nuk është vërtetuar ndonjë provë që Daut Mehmeti ka qenë i përfshirë në ndonjë marrëveshje për manipulim rezultatesh.

Hetuesit gjithashtu kishin kërkuar të dhëna përmes procedurës së masave të fshehta dhe vëzhgimeve teknike të autorizuara nga Gjykata Themelore, por edhe ato nuk kanë prodhuar prova materiale që do të justifikonin ngritjen e aktakuzës.

“Në këtë rast nuk mund të realizohet figura e veprës penale ‘Kurdisja e ndeshjes ose sportit’… për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme që do të përmbushnin elementët përbërës të kësaj vepre penale,” thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Duhet cekur edhe një herë se Mehmeti njihet si një nga gjyqtarët më me përvojë në basketbollin kosovar dhe rajonal, me përfshirje në ndeshje të nivelit evropian dhe ndërkombëtar. /AsistiOnline.com/

Të ngajshme

Klubet thyen rekordin e shpenzimeve të transferimeve – 2.74 miliardë euro deri tani

KushtrimGuraj

“Është vetëm në fillim të karrierës së tij si trajner”, trajneri i Baselit i përgjigjet kritikave të Shaqirit

Erzana Fazliu

Skenë e pazakontë: Miza ia fiton golfistit britanik 728 mijë dollarë në BMW Championship

KushtrimGuraj