Një rast grabitjeje ka ndodhur rreth mesditës në Prishtinë, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku një person i dyshuar ka grabitur një shumë parash nga një dyqan i njohur i elektronikës.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, grabitja është kryer nën kërcënimin e një arme elektroshoku.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një grabitje të kryer në rrugën ‘Ilir Konushevci’ në Prishtinë. Dyshohet se një person nën kërcënimin e një arme elektroshoku ka grabitur një shumë parash”, tha Ahmeti.
Ajo bëri të ditur se aktualisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se grabitja ka ndodhur në një dyqan elektronikash me emrin “AZ Tech”, por ende nuk dihet shuma e saktë e parave të grabitura.
Policia ka njoftuar se do të informojë me kohë për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast.