Telenews

Greva e punëtorëve teknikë të 13 shkollave fillore në Prishtinë, Azemi: I kthehemi punës kur të dalin pagat

Punëtorët teknikë të 13 shkollave fillore në Prishtinë kanë nisur grevën të mërkurën si reagim ndaj mosekzekutimit të pagave të muajit të kaluar, raporton Ekonomia Online.

Sipas përfaqësuesve sindikalë, vonesat në pagesa kanë detyruar punëtorët të ndërmarrin këtë veprim, ndërsa paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet edhe në shkollat e mesme nëse problemet nuk zgjidhen.

Sindikata kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të pagave, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e pagës minimale në 600 euro.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, tha se për këtë vendim është njoftuar edhe Komuna e Prishtinës.

“Po realisht mungesa e pagës për shkollat fillore, mungesa e pagës për muajin qershor, është një vendim i punëtorëve të cilët në mungesë të kësaj page kanë qenë të obliguar që të hyjnë në grevë, edhe pse pjesa dërrmuese e punëtorëve janë në pushim. Por, megjithatë është marrë vendimi që ata të cilët janë në procesin e punës, ata normal që do të shkojnë në vendet e tyre të punës dhe nuk do të kryejnë asnjë shërbim. Është njoftuar Komuna e Prishtinës, pronari i kompanisë, Drejtoria e Arsimit dhe të gjithë këta. Në një marrëveshje që kemi pasur me nënkryetarin e komunës dhe akterët, bashkëpunëtorët e nënkryetarit, është garantuar që nuk do të kemi telashe sepse ka pasur një shkëputje për pagat e punëtorëve për qershor”, u shpreh ai.

Azemi deklaroi se zyrtarët e Komunës së Prishtinës i kanë premtuar se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen më së largu deri të hënën.

“Ata nuk i kanë qëndruar prapa vendimit që kemi marrë dhe është kjo. Përndryshe, unë dje kam kontaktuar me persona zyrtarë të Komunës së Prishtinës, më kanë premtuar se pagat e punëtorëve do të përcillen tek pronari i kompanisë për sot, eventualisht më së largu deri të hënën. Dhe ne normal që do t’i kthehemi rrjedhës së punës vetëm në atë moment kur na dalin pagat në llogaritë tona”, tha ai.

Mirëpo, sipas Azemit, problemi nuk do të përfundojë me shkollat fillore, pasiqë mund të vazhdojë edhe me shkollat e mesme.

“Përndryshe, i njëjti problem tani do të na del edhe me punëtorët e shkollave të mesme, sepse këta punëtorë që nga 1 korriku deri më 21 korrik, në njëfarë forme nuk po e merr përgjegjësinë askush sepse s’ka pasur kompani kontraktuese që të bëhet pagesa e tyre. Dhe po i njëjti problem po na sillet dhe po del që do të kemi edhe me punëtorët e shkollave të mesme”, tha ai.

Azemi paralajmëroi se nëse pagat nuk ekzektuohen, punëtorët teknikë nuk do të punojnë këtë fillimvit shkollor fare, ndërsa kërkoi që paga minimale e këtyre punëtorëve duhet të jetë 600 euro.

“Ne sot i kemi dërguar Komunës së Prishtinës një tërheqje vërejtjeje për punëtorët e shkollave të mesme dhe nuk e dëshiroj të them këtë, por nëse vazhdon kështu, sigurisht se fillimi i mësimit do të jetë shumë i keq, nuk do të punojmë ne fare. Dhe kërkesa ka qenë edhe më e hershme, por kërkesë edhe tash imediate, që ne nuk mund të punojmë me pagë 500 euro, sepse paga 500 euro është pagë minimale e cila merret vetëm në kushte të jashtëzakonshme. Dhe ne kërkojmë që paga e këtyre punëtorëve minimumi duhet të jetë 600 euro”, shtoi ai.

Azemi theksoi se një pjesë e këtyre punëtorëve nuk kanë pasur të drejtën e pushimit vjetor, sipas ligjit.

“Po është shumë normale që, më së pari në radhë të parë nuk është zbatuar Ligji i Punës dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë në raport punëdhënës-punëmarrës. Por tani janë dy kompani kontraktuale që kanë marrë shërbimet, njëra për shërbimet në shkollat e mesme dhe këto fillore. Ne i njohim këto kompani dhe shpresojmë që nuk do të kemi telashe me zbatimin e ligjit. Përndryshe në të kaluarën, një pjesë bukur të madhe këta punëtorë nuk e kanë gëzuar të drejtën e pushimit vjetor ashtu qysh e thotë ligji”, tha ai.

Azemi deklaroi se numri i punëtorëve të përfshirë në grevë është rreth 150, në rreth 13 shkolla.

“Janë të prekura diku rreth 13 shkolla, po flasim për shkollat fillore, të cilat janë diku rreth 150 punëtorë”, përfundoi ai.

Të ngajshme

Ish-ministrja Haradinaj: Konsullata serbe në Shkodër, një projekt politik serbomadh!

Yllka Gashi

Zgjoheni me të përziera? Ja pse nuk duhet të mendoni menjëherë për shtatzëni

Yllka Gashi

Tre lojtarë largohen nga Brazili, e konfirmon Carlo Ancelotti

Yllka Gashi