Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lagjen e Kuvajtit në Podujevë, ku një grua dyshohet se ka tentuar të ngufasë katër fëmijët e saj. Kjo situatë ka alarmuar bashkëshortin e saj, i cili kërkoi menjëherë ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, 41-vjeçarja, në rrethana dhe për motive akoma të paqarta, ka tentuar të kryejë këtë akt të rëndë, duke shkaktuar panik dhe përshkallëzim të situatës në familjen e saj.
Menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet përkatëse të Policisë dhe një ekip mjekësor kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes, duke shpëtuar fëmijët.
Burime nga QKUK kanë bërë të ditur se gruaja, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikike, është dërguar me urgjencë në repartin psikiatrik, ku po merr trajtim mjekësor.
Ndërkohë, fëmijët janë siguruar, ndërsa babai i tyre ka dhënë deklaratën e tij para Policisë lidhur me rastin e rëndë që ndodhi në shtëpinë e tyre.
Lidhur me këtë rast, është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijëve” dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme.