Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, beson se skuadra e tij është në një trajektore pozitive javët e fundit, pas rikthimit në krye të tabelës së La Ligës.
Pavarësisht humbjes ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve, Barcelona ka arritur fitore ndaj Athletic Club, Alaves, Atletico Madrid dhe Real Betis në garat vendase.
Duke folur para ndeshjes, Flick u përqendrua te Liga e Kampionëve, ku shpresat për të siguruar një vend mes tetë ekipeve më të mira varen në fije të perit.
Konsensusi është se atyre u duhen pikët maksimale nga ndeshjet e mbetura, duke filluar me Eintracht Frankfurt të martën në mbrëmje.
“Liga e Kampionëve është ndryshe, ndaj gjithçka që ka ndodhur më parë nuk ka rëndësi. Eintracht ka një skuadër të mirë, shumë të re, me shumë intensitet dhe lojtarë të shpejtë. Gjithashtu dinë të përshtasin sistemin e tyre”.
“Ne duhet të luajmë në nivelin tonë më të lartë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë mund të marrim edhe tre pikët”.
Flick vazhdoi duke shpjeguar faktorët kryesorë që sipas tij kanë ndikuar në vështirësitë e muajve të fundit.
“Të gjithë e dinë çfarë kemi kaluar gjatë këtyre tre muajve, me lojtarë të dëmtuar dhe me nevojën për të menaxhuar minutat e lojës”.

