Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, beson se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve “nuk është kërcënim për sigurinë” dhe se “prania ushtarake e KFOR-it në atë urë është e panevojshme”.
“Nuk ka kurrfarë potenciali për të eskaluar situata”, tha Konjufca në një intervistë për Klan Kosova, ndërsa potencoi se “hapja e kësaj ure është një domosdoshmëri, është një domosdoshmëri e cila ka qenë vite me radhë”.
“Jemi vonë sa i përket hapjes së urës. Është dashur që kjo urë të mos mbyllet fare”, shtoi ai.
Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje vlerësoi se Qeveria e Kosovës është e përcaktuar për t’u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e Urës së Ibrit, por që koordinimi nënkupton, sipas tij, “bindja e të dyja palëve që prania ushtarake mbi atë urë është e panevojshme”.
Konjufca ndër të tjera potencoi se Qeveria e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet “për t’i bindur bashkësinë ndërkombëtare edhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar”, për hapjen e kësaj ure.
Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.
Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ndërkaq Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” se ekziston një rrezik real sa i përket hapjes së urës kryesore në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, duke përfshirë ata amerikanë.
“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka theksuar Hovenier, krahas thirrjes për Qeverinë e Kosovës që mos të ndërmarrë veprime drejt hapjes së urës së Ibrit në këtë moment.