Telenews

Haradinaj: Gjuha e sotme e Kurtit, është gjuha e mashtrimit

I pari I AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, duke e cilësuar si mashtrues, pasi sipas tij, “u është kthyer mashtrimeve elektorale”.

Haradinaj ka shkruar se me qeverisjen e Kurtit, Kosova është bërë një vend i varfër dhe se qytetarët po largohen çdo ditë nga vendi.

“Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij.

Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas Haradinajt, fjalët “e bukura” të Kurti janë në shpërputhje me realitetin.

“Fjalët e bukura se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë. Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve”, ka shtuar Haradinaj.

source

Të ngajshme

Plagoset me armë zjarri një person në Prishtinë, të dyshuar dy vëllezër

Yllka Gashi

Evropa nën alarm nga zjarret, mijëra hektarë pyje përfshihen nga flakët

Yllka Gashi

Deficiti tregtar arrin në 578.3 milionë euro, eksportet mbulojnë vetëm 15% të importeve

Yllka Gashi