Telenews

Haradinaj i kundërpërgjigjet VV-së: Ju që po më pyesni se nga cila anë e urës jam, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani

Ramush Haradinaj, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i është kundërpërgjigjur eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë ka pushtetin – posaçërisht Dejona Mihalit, që zyrtarisht mban pozitën e Koordinatores së Komiteteve të LVV-së, pas sulmeve të tyre në drejtim të ish-kryeministrit për çështjen e hapjes së Urës mbi lumin Ibër.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se “nuk është hera e parë që kanë provuar të më pozicionojnë ‘këndej ose andej ure’, duke dashur të ma vendosin kufirin ne mes!”, duke iu kundërpërgjigjur kështu Mihalit, e cila, para disa ditësh, në një postim të gjatë e pyeti kreun e AAK-së “se nga cila anë e urës gjendesh”?

Ish-kryeministri ia rikujtoi se kanë provuar edhe Pejën “të ma ndajnë me lum, kanë provuar që të ndajnë Mitrovicën me lum, besa edhe krejt Kosovën duke i vendosur disa kufij të ri, në emër të njëfarë shkëmbimi territorial”.

“Por, as atëherë e as sot, s’kanë gjetur te unë aleat të ndarjes, e nuk do të gjejnë kurrë”, shkroi Haradinaj.

Albin Kurti, sipas kreut të AAK-së, “përmes sejmenëve të tij, ma paska bërë një pyetje publike se ‘nga cila anë e urës’ jam unë!”, duke theksuar se “pse u dashka që unë të jem në njërën anë të urës!”.

“Unë jam ku kam qenë gjithmonë, në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë”, potencoi ai, derisa iu kundërpërgjigj pushtetit po me një pyetje.

“Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë!”, përfundoi./Telenews/

Të ngajshme

Gërvalla reagon sërish për vrasjen e Arlinda Zekajt: Prokuroria ishte e informuar për kërcënimet dhe dhunën ndaj saj që nga 10 korriku –

KushtrimGuraj

“Heroi ynë, të kujtojmë me mall”, Haradinaj bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit –

KushtrimGuraj

E rëndë: Ky është kosovari që humbi jetën në aksidentin me mjet sportiv në Has të Shqipërisë –

KushtrimGuraj