Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkuar sot në Gllogjan për të kujtuar heronjtë e Kosovës, Arben e Luan Qerimaj, Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se rruga e lirisë së Kosovës ishte e vështirë dhe e shtrenjtë.
“U bashkuam sot në Gllogjan, në nderim të sakrificës së tyre për liri, në përvjetorin e rënies së Heronjve të Kosovës, Arben dhe Luan Qerimaj. Me nderimet më të larta kujtuam edhe bashkëluftëtarët e tyre të rënë po në këtë ditë; Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi. Të gjithë këta trima që i kujtuam sot ishin të veçantë, secili në mënyrën e vet. Në përvjetorin e rënies së tyre, ne nderojmë shpirtin e tyre luftarak, besnikërinë ndaj shokëve dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar kurrë përballë armikut”.
“Në ditë si kjo, kujtojmë se sa e gjatë, e vështirë dhe e shtrenjtë ishte rruga deri te liria që gëzojmë sot. Ishte lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ajo që solli lirinë dhe e hapi rrugën për ndërtimin e shtetit tonë. Ishte kjo luftë që krijoi aleancën tonë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një aleancë që duhet ta ruajmë e ta forcojmë me krenari. Misionin tonë për sigurimin e lirisë sonë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s, të rreshtuar pranë botës demokratike, udhëhequr nga Amerika. I përjetshëm qoftë kujtimi për Luan e Arben Qerimaj, Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.