Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka prezantuar kandidatët për deputetë që vijnë nga Prizreni e që do të garojnë në listën e koaliconit AAK-Nisma-Konservatorët-E30.
Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj janë kandidatët që vijnë nga ky qytet.
Haradinaj premtoi një digë që do ta zgjidhte problemin për furnizim me ujë të pijshëm për qytetarët e Prizrenit, si dhe funksionalizimin e Zonës Industriale ndër të tjerash.
“Në qytetin e Lidhjes Shqiptare, prezantuam ekipin tonë të fortë për Kuvendin e Kosovës: Besnik Krasniqi, Luljetë Berisha, Edmond Hoxha, Abdylnaser Sefa dhe Armend Memqaj. Bashkë me ta, do t’i japim fund vuajtjes së qytetarëve për ujë të pijshëm me ndërtimin e digës së Manastiricës, do ta funksionalizojmë zonën industriale dhe do ta mbrojmë trashëgiminë historike të Prizrenit. Do ta mbrojmë familjen dhe do të ndërprejmë padrejtësitë që iu bëhen qytetarëve në tatimin në prone”.
Haradinaj tutje ka shtuar se do t’i barazojnë pensionet me pagën minimale.
“Me përvojën tonë në qeverisje dhe me program konkret ekonomik, do të sigurojmë paga minimale 500 euro dhe mesatare 1000 euro, do të barazojmë pensionet me pagën minimale, do të ulim TVSH-në për ushqimet bazë dhe do të heqim akcizën e naftës për bujqit”, ka shtuar ai.