Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dëmtuar zjarrfikësit me mos miratimin e Ligjit të pagave.
Sipas Haradinaj mbi 900 intervenime janë kryer nga zjarrfikësit vetëm në rajonin e Prishtinës që nga fillimi i këtij viti.
“Mbi 900 intervenime kanë kryer zjarrfikësit tanë vetëm në rajonin e Prishtinës, që nga fillimi i këtij viti, e vitin e kaluar mbi 2 mijë intervenime”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se ky sektor pos mungesës së stafit është dëmtuar edhe në aspektin financiar.
“Përpos mungesës së stafit, që vërehet më së shumti tani gjatë sezonit veror, nga mosaprovimi i Ligjit të Pagave, ky sektor është dëmtuar mbi 400 mijë euro. Paga bazë e zjarrfikësit vazhdon të mbetet 430€, e me ligj planifikohej të ngritje në 736€, shto kësaj edhe rritjen çdo vit, krahas inflacionit”, ka thënë Haradinaj.
Qeveria po i hyn në hak secilit që shërben për shtetin tonë, që rrezikon jetën çdo ditë, për të mbrojtur qytetarët, është shprehur Haradinaj.

