Kapiteni i Sparta Pragës dhe futbollisti i kombëtares së Sllovakisë, Lukas Haraslin ka folur para përballjes me kombëtaren e Kosovës.
Bëhet fjalë për ndeshjen gjysmëfinale të “play-offit” të Botërorit 2026, e cila luhet të enjten në Bratislavë.
Ai foli për rëndësinë e kësaj përballje.
“Gjithmonë luhet për diçka, por tani është një situatë e veçantë, sepse shumica prej nesh mund të luftojë për suksesin më të madh në karrierë me ekipin kombëtar”, tha ai për uebsajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Sllovakisë.
Më tutje, ai e cilësoi Kosovës si një kundërshtar të fortë.
“Na pret një kundërshtar i vështirë dhe i fortë. Kemi parë që Kosova ka luajtur në një grup shumë të fortë dhe në Ligën e Kombeve ka arritur rezultate të mira. Është në formë shumë të mirë, kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë. Por besoj se do të përgatitemi mirë dhe do ta menaxhojmë ndeshjen e parë, që është shumë e rëndësishme”, vazhdoi ai tutje.
Se a pret që Kosova të luajë hapur në këtë përballje, ai tha se kjo është e vështirë të ndodh.
“Është e vështirë të thuhet. Luhet vetëm një ndeshje dhe gjithçka mund të zgjasë 90 apo 120 minuta. Prandaj jemi të fokusuar vetëm te kjo ndeshje e së enjtes dhe jo te ajo që vjen më pas”, u shpreh ai.
Haraslin është bashkëlojtar me Albion Rrahmanin te Sparta e Pragës, teksa foli edhe për marrëdhënien me sulmuesin dardan.
“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Luajmë së bashku në sulm dhe ndihmojmë ekipin me gola. Ai bënte shaka duke thënë se do të donte të luante në mbrojtjen e Kosovës për t’u përballur me mua. Tani do të jemi kundërshtarë dhe secili do të luftojë për vendin e tij. Nuk kemi bërë ende ndonjë bast, por ndoshta do ta bëjmë në ditët në vijim”, shtoi sllovaku.
Ai foli edhe për përkrahjen që do ta kenë në shtëpi, dhe se a do të jetë kjo një përparësi për ta apo jo.
“Besoj se tifozët tanë do të na japin shtysë të madhe. Ata krijojnë atmosferë shumë të mirë dhe kjo mund të jetë vendimtare. Por gjithçka vendoset në fushë”, e mbylli ai.

