Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë me bindje të plotë lidhur me procesin e dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë për të cilën është propozuar Blerim Isufaj.
Haxhiu ka thënë sot në një konferencë për media në qeveri se Blerim Isufaj nuk do të jetë Kryeprokuror i Shtetit, pasi sipas saj, procesi do të kthehet “në pikën zero”.
Ministrja i vendosi ‘pikat mbi i’ për procesin ndonëse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ia ka kthyer sërish për dekretim presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emrin e Blerim Isufajt. Kësisoj, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, ministrja është e bindur se procesi nuk do të marrë kahjen e dëshiruar nga KPK-ja, të cilin institucion ajo e ka akuzuar për veprime pa bazë kushtetuese dhe ligjore.
“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Osmani për mosdekretimin e z. Isufaj si Kryeprokuror i Shtetit. Kryeprokurori i Shtetit ka mandat shtatë vite dhe sigurisht ky proces duhet të jetë transparent dhe meritor, e jo të ndikojnë grupet e interesit që të ketë një rezultat që dihet se do të ndodhë ai. Propozimi i njëjtë nga KPK-ja nuk ka bazë as kushtetuese, e as ligjore. Ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, ka thënë Haxhiu. /Telenews.al/