Telenews

Haxhiu: Opozita zvarrit qëllimshëm konstituimin e Kuvendit, po i zgjat mandatin e Qeverisë Kurti

Kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, akuzoi opozitën për zvarritje të qëllimshme të konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se kjo po e zgjat mandatin e Qeverisë Kurti në mënyrë të pajustifikueshme.

Në një deklaratë për media pas dështimit të seancës konstituive, Haxhiu tha se Vetëvendosje ka përmbyllur mandatin qysh në mars dhe aktualisht qeveria është vetëm në detyrë, por për shkak të bllokadës nga opozita, proceset institucionale nuk po ecin përpara.

“Me mungesën e vullnetit për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Ne në mars kemi përmbyllur mandatin tonë dhe jemi qeveri në detyrë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstitutohet Kuvendi që më pas të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë,” tha ajo.

Haxhiu tha se opozita po e instrumentalizon pjesëmarrjen në seanca vetëm për të bojkotuar procesin e votimit, duke theksuar se kjo ka ndodhur tashmë 29 herë, që nga propozimi i kryesuesit për votimin e fshehtë.

“Ata vijnë në Kuvend dhe nuk marrin fare pjesë në votim. 29 herë prej kur ka filluar propozimi i kryesuesit për votimin e fshehtë dhe për 29 herë ata kanë ardhur dhe nuk kanë marrë fare pjesë në votim,” u shpreh Haxhiu.

Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës ndaj qeverisë Kurti, Haxhiu tha se ka një kontradiktë të qartë në qëndrimet e tyre.

“Përditë flasin kundër qeverisë. Në vazhdimësi flasin se si Qeveria Kurti ka qenë qeveria më e dëmshme ndonjëherë, por në anën tjetër duket se as vetë nuk u besojnë fjalëve të tyre, sepse thjesht po e zgjasin mandatin e qeverisë sonë,” shtoi ajo.

Ajo gjithashtu komentoi edhe reagimin e shoqërisë civile për bllokadën aktuale institucionale.

“Edhe sot kishte një reagim të shoqërisë civile. Ne si Vetëvendosje kemi pritur në takim shoqërinë civile, kemi treguar pozicionin tonë, kemi treguar se çfarëdo që varet nga ne, ne e kemi adresuar. Por nuk dimë se çka mund të bëjmë më tepër, sepse numrat janë këto dhe është e rëndësishme që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim,” përfundoi Haxhiu.

 

Të ngajshme

Pasagjerët “në alarm”, pas shembjes së një pjese të çatisë në Aeroportin e Palma de Mallorca në Spanjë

Valjeta Turkaj

Tiranë, në pikë të ditës futet me forcë një person në makinë, arrestohet i dyshuari

Valjeta Turkaj

Irani thotë se qendrat e tij bërthamore “u dëmtuan keqas” nga sulmet izraelite dhe amerikane

Valjeta Turkaj