Kompania e derivateve në Kosovë, HIB Petrol, ka thënë se sot është njoftuar në lidhje me dyshimet dhe hetimin e një skeme të keqpërdorimit të emrit dhe autorizimeve, ku dyshohet se përfshihet një punonjës i kësaj kompanie.
Kjo kompani në një mënyrë është distancuar duke thënë se punëtori i dyshuar ka vepruar individualisht dhe për interesa personale.
Tutje, HIB Petrol thotë se është në bashkëpunim të plotë me organet shtetërore duke tentuar që të bëjë sqarimin e ngjarjeve dhe të personave përgjegjës.
“Në këtë drejtim, HIB Petrol ShPK ka ofruar tërë mbështetjen dhe dokumentacionin të cilin e ka pasur në dispozicion si dhe bashkëpunimin e plotë me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më tej, kompania thotë se do të ushtrojë tërë mjetet ligjore për të adresuar dëmet të cilat i janë shkaktuar në lidhje me keqpërdorimet e mundshme.
Kujtojmë se më herët, në media u raportua se Policia e Kosovës së bashku me Doganën janë duke zhvilluar një aksion në njërën prej pikave të kësaj kompanie.