Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka komentuar situatën ekonomike në vend, duke cilësuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë fushë si të dobët.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë.
“Performancën e dobët në ekonomi të kësaj qeverie e dëshmojnë këto të dhëna. Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike”, shkroi ai.
Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar se kjo është arsyeja që rritja ekonomike, matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, që është koha kur kjo qeveri ka nisur punën.
“Dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit”, shtoi më tutje Hoti.