Telenews

Hoti: Pagat të rriten për 10 për qind

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se pagat në sektorin publik duhet të rriten për të paktën 10 për qind, derisa vlera e koeficientit sipas tij, duhet të jetë 137.5 euro.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro, nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.

“Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionale dhe të ndihmës sociale]”, ka shkruar ai.

Hoti tutje tha se mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve.

“Edhe pse ligji i pagave është shpallur në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, Qeveria ende nuk e ka caktuar vlerën e koeficientit. Rrjedhimisht, askush nuk e di sa do ta ketë pagën në muajin shkurt. Kjo ka krijuar pasiguri tek të punësuarit, pasi shumë prej tyre kanë kredi apo obligime të rregullta mujore. Mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve”, ka shkruar Hoti.

Të ngajshme

Aksioni në veri, sekuestrohen 22 automjete dhe mallra në vlerë mbi 200 mijë euro

Rrezarta Ramaj

Haradinaj: Kthimi i ligjit për Dhomat e Specializuara do të ishte ofendim, lojë e ndytë ndaj Kosovës

Rrezarta Ramaj

Për mbi një vit u prezantua rrejshëm si zyrtar i AKI-së, i dyshuari kapet në Prishtinë

Rrezarta Ramaj