Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka ritheksuar nga Prishtina mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Kosovën, duke deklaruar se pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik dhe ndërkombëtar.
Në konferencën e përbashkët për media pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, Hoxha tha se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe integruese.
“Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, u shpreh Hoxha.
Ai kritikoi qëndrimet dhe iniciativat që vazhdojnë të kontestojnë shtetësinë e Kosovës, duke iu referuar edhe zhvillimeve të fundit në rajon.
“Çdo kush që ende nuk e ka kuptuar që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik e ndërkombëtar, jeton në një kohë tjetër dhe sheh ëndrra me sy hapur”, ka thënë Hoxha, duke i cilësuar këto qëndrime si “somnambul politik”.
Ministri shqiptar theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, për të cilat kërkoi përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë.
Hoxha u shpreh se Kosova ka qenë pjesë e pandarë e angazhimit të tij diplomatik ndër vite, ndërsa vizitën e tij të parë zyrtare në Prishtinë si ministër e cilësoi me rëndësi të veçantë.
“Ndjej emocion të jem në Prishtinë në këtë vizitë time të parë zyrtare si ministër i Punëve të Jashtme për Evropën”, tha ai.
Duke folur për raportet ndërmjet dy vendeve, Hoxha theksoi se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe se zhvillimet në Kosovë ndikojnë drejtpërdrejt edhe në Shqipëri.
“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë, të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takime ministrore apo dhe më lart, siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë çdo vlerësi zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete të cilat kanë impakt për qytetarët”, tha ai.
Ai bëri thirrje për thellim të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke kërkuar më shumë koordinim institucional e diplomatik, si dhe më pak pengesa burokratike në realizimin e objektivave të përbashkëta.
Hoxha po ashtu kërkoi avancimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, duke e konsideruar atë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim komuniteti.
Në këtë kuadër, ai veçoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe UNESCO, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për rrugën euroatlantike të vendit, duke vlerësuar rolin e këtyre organizatave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të trashëgimisë kulturore.

