Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë sot në një takim virtual të nivelit të lartë, të organizuar nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Takimi bashkoi homologë nga mbi 40 vende për të diskutuar krizën e shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm në rajon.
Në një postim në platformën ‘X’, ministri Hoxha theksoi se diskutimet u përqendruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare – diplomatike, politike dhe jo vetëm – për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare jetike.
Ngushtica e Hormuzit është një arterie kryesore për transportin global të naftës dhe gazit, dhe mbyllja e saj ka pasoja të rënda për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik botëror.
“Diskutimet u përqendruan në përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik.
Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet”, shkruan Hoxha në rrjetin social ‘X’.
Hoxha shkruan më tej se Shqipëria është e gatshme “të bashkëpunojë ngushtë me partnerët dhe aleatët për të mbështetur përpjekjet e deeskalimit dhe për të kontribuar në iniciativa dhe zgjidhje kolektive.”

