Sot, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, është realizuar eksporti i parë i mallrave nga Kosova në kuadër të hyrjes në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.
Me rastin e këtij eksporti të parë, në pikën kufitare Dheu i Bardhë ishte i pranishëm Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, përcollën nga afër zbatimin praktik të marrëveshjes dhe procedurat për eksportin e parë.
Nga 1 tetori 2026, marrëveshja hyn në zbatim të plotë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve anëtare të EFTA-s, përkatësisht Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë, duke krijuar kushte të reja dhe më të favorshme për zhvillimin e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e eksporteve të produkteve kosovare në këto tregje.
Eksporti i parë i realizuar sot në Dheu të Bardhë shënon një moment të rëndësishëm në zbatimin praktik të kësaj marrëveshjeje dhe përfaqëson një hap të ri në lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.
Në kuadër të marrëveshjes, mallrat që plotësojnë kushtet e përcaktuara mund të përfitojnë nga trajtimi preferencial tarifor, ndërsa operatorët ekonomikë duhet të sigurohen që dëshmitë e origjinës dhe dokumentacioni përkatës të jenë në përputhje me kërkesat e marrëveshjes dhe rregullat në fuqi.
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe operatorët ekonomikë, do të vazhdojë të sigurojë zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe lehtësimin e procedurave doganore, në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullat e përcaktuara.
Hyrja në zbatim të plotë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA paraqet një mundësi të rëndësishme për bizneset kosovare për të zgjeruar aktivitetin e tyre në tregjet e vendeve të EFTA-s dhe për të rritur potencialin eksportues të Republikës së Kosovës.
Eksporti i parë i realizuar sot në Dheu të Bardhë shënon fillimin e zbatimit praktik të një marrëveshjeje të rëndësishme për zhvillimin e tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

