Telenews

IKD: Letra e dorëzuar nga Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, punimet e së cilës u pezulluan.

Sipas IKD-së, shkak për këtë u bë “mosvotimi i Raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve dhe Kuorumit, me arsyetimin se Kryeministri dhe akterët qeveritar nuk dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Fillimisht, IKD në vazhdimësi ka theksuar se paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet”, thuhet në reagim.

Për tepër sipas IKD-së, “letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlenë për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”.

“Në bazë të Ligjit NR.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri duhet të jap dorëheqje në momentin e betimit të tij si deputet. Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëhiqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën”, thuhet në njoftim.

Tutje, IKD thekson se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe mos të lejoj hapësira për interpretime. E njëjta letër nuk duhet t’i drejtohet ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca. Aktualisht, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Mbi këtë çështje, letra e dorëheqjes duhet drejtuar tek Kryesuesi i seancës konstituive, që sipas Rregullores së Kuvendit duhet të jetë deputeti më i vjetër, e që në këtë rast është z. Avni Dehari.

Krejt në fund, IKD u bënë thirrje të gjitha partive politike që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të konstituojnë sa më shpejtë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.

Edhe opozita vuri në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Të ngajshme

Moti sot

Erzana Fazliu

Ngjarjet e ditës 16 Prill

Erzana Fazliu

Berisha: Jam i gatshëm ta jap votën time për Kurtin, edhe nëse nuk jam pjesë e qeverisë

KushtrimGuraj