“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të rinovueshme” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e inaugurimit të parkut të ri të erës “Selac Windpark” në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Komunës së Mitrovicës.
Në këtë ceremoni, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, kryeministri Kurti vlerësoi këtë investim strategjik dhe veçanërisht përkushtimin e ministres gjermane Baerbock për zhvillimin e Kosovës.
“Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshinë një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike”, tha kryeministri Kurti.
Teksa i ka përmendur aspektet pse është i rëndësishëm ky investim, i cili do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë, do të ulë emetimet e CO2 dhe po ashtu do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji, kryeministri theksoi se është e qartë që në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është kënaqësi – edhe pse një kënaqësi shumë e ftohtë dhe me erë – të jem këtu me ju sot për inaugurimin zyrtar të parkut të erës Selac.
Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të rinovueshme. Ne e mirëpresim me gjithë zemër këtë investim strategjik.
Agjenda e Gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse ajo përfshin një aspekt të rëndësishëm të procesit tonë të integrimit në BE, por veçanërisht sepse ne kemi nevojë të heqim gradualisht qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike.
Tri aspekte janë të rëndesishme kur bëhet fjalë për këtë investim. I pari është diversifikimi i prodhimit të energjisë pasi prodhimi i energjisë nga ky park me erë do të mbulojë 10% të kapacitetit të instaluar të vendit tonë. I dyti është ulja e emetimeve të CO2 me 247 mijë tonë dhe i treti është se do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm me energji që ndihmon në plotësimin e kërkesës sonë në rritje, veçanërisht pas krizës energjetike që pasoi këtë dimër. Qeveria jonë i është përgjigjur kësaj krize në një afat të shkurtër, duke bërë subvencionim për konsum të energjisë që i atribuohet familjeve. Megjithatë, është e qartë se në afat të gjatë zgjidhja e vetme e qëndrueshme është investimi në burimet e ripërtëritshme.
Nuk do të kishte një projekt më të mirë për të hapur rrugën si investimi i parë strategjik, se ky.
Së fundi, shfrytëzoj rastin të falënderoj SoWi Kosovo dhe z. Cornelius i cili përfaqëson kompaninë sot këtu. Falenderoj gjithashtu aksionerët e saj, Enlight Renewable Energy, Ilir Grapci dhe Christian Hammeke. Gjithashtu, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e këtij projekti të sektorit privat, i cili është më i madhi që kanë financuar deri më tani në Kosovë. Zonja Ministre Baerbock, vizita dhe përkushtimi juaj për zhvillimin e Kosovës vlerësohet shumë.