Telenews

Indi: Modelja 33-vjeçare gjendet e vdekur pas 5 muajsh martesë – e përfshirë edhe vjehrra

Në Indi, ku mijëra gra të reja vriten çdo vit për shkak të pajës së pamjaftueshme (dowry), një rast i tillë rrallëherë merr vëmendje mediatike.

Por vdekja e Twisha Sharma në qytetin qendror të Bhopalit më 12 maj ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh në media, duke u bërë lajm kryesor çdo ditë.

33-vjeçarja, modele dhe aktore, kishte vetëm pesë muaj e martuar me avokatin Samarth Singh kur u gjet e vdekur në shtëpinë e saj bashkëshortore.

Prindërit dhe familjarët e Twisha-s kanë pretenduar se ajo është torturuar nga Singh dhe nëna e tij – ish-gjyqtarja në pension Giribala Singh – për shkak të kërkesave për pajë dhe se ajo është vrarë.

Giribala Singh i ka quajtur këto akuza “të pabaza” dhe ka pretenduar se Twisha kishte probleme të shëndetit mendor dhe se ajo ka kryer vetëvrasje.

Zyrtari i policisë Rajnish Kashyap Kaul i ka thënë BBC Hindi se është hapur rast për vdekje për shkak pajë ndaj familjes Singh dhe se po hetohet nëse vdekja e Twisha-s ka qenë vrasje apo vetëvrasje, shkruan BBC.

Policia thotë gjithashtu se po kërkon Samarth-in, i cili është në arrati – për informacion mbi të është shpallur shpërblim në para dhe është lëshuar urdhër kërkimi për të siguruar që ai të mos largohet nga vendi. Një gjykatë në Bhopal i ka dhënë Giribala Singh lirimin me kusht, por ka refuzuar kërkesën e Samarth Singh për lirim me kusht. Atij i është kërkuar të dorëzohet deri më 23 maj.

Giribala Singh ka thënë se nuk e di ku ndodhet djali i saj, por ka shtuar se ai do të kërkojë lirimin me kusht në gjykatën e lartë dhe do të dorëzohet nëse kjo i refuzohet.

“Avokati ynë e këshilloi të qëndrojë larg. Ai i tha se do të linçohet nëse del jashtë. Ka një fushatë të madhe kundër tij, njerëzit po kërkojnë varjen e tij,” ka thënë ajo për Mojo Story.

“Duhet të mbani mend se djali im ka humbur një person shumë të dashur, ka humbur partneren e jetës. Dhe ne nuk mund të vajtojmë… të gjithë janë kundër nesh,” ka shtuar ajo.

Ndërkohë, familja e Twisha-s ka refuzuar ta varrosë trupin dhe ka kërkuar një autopsi të dytë. Raporti i parë i autopsisë, të cilin e ka parë BBC, thotë se ajo ka vdekur nga varja, por përmend edhe lëndime të pësuara para vdekjes. Të premten, gjykata e lartë e ka pranuar kërkesën e familjes.

Meqë Samarth mbetet në arrati, familja e Twisha-s po bën akuza të rënda, ndërsa ish-gjyqtarja ka dhënë intervista për gjendjen mendore të saj, rasti ka marrë mbulim të pandërprerë mediatik. Në Instagram është krijuar një faqe “justice for Twisha Sharma” dhe çështja është bërë virale.

Interesi i madh për rastin lidhet edhe me figurën e Twisha-s dhe reputacionin e familjes me të cilën ajo ishte martuar – pasi në perceptimin publik, anëtarët e sistemit gjyqësor në Indi pritet të shërbejnë si shembull.

Twisha Sharma, modele dhe aktore, kishte fituar titullin “Miss Pune” në vitin 2012 dhe kishte marrë pjesë në fushata reklamuese dhe në një film në gjuhën telugu. Në vitet e fundit kishte punuar edhe si profesioniste marketingu. Miqtë dhe familjarët e përshkruajnë si të lumtur, bujare dhe ambicioze.

Familja thotë se ajo e ka takuar Samarth Singh përmes një aplikacioni takimesh në vitin 2024 dhe janë martuar në dhjetor 2025. Fotot e dasmës i tregojnë të lumtur.

Por sipas familjes Sharma, tensionet kanë filluar shpejt pas martesës. Ata pretendojnë se pavarësisht pajës së dhënë, familja Singh i ka akuzuar vazhdimisht se martesa nuk ka qenë “sipas standardeve” të tyre – gjë që Giribala Singh e ka mohuar. (Dhënia dhe marrja e pajës është e paligjshme në Indi, por ende praktikohet gjerësisht.)

Pika më e rëndë e konfliktit, sipas familjes, ka qenë në prill kur Twisha mbeti shtatzënë. Ata pretendojnë se bashkëshorti dhe vjehrra e kanë akuzuar për tradhti dhe e kanë detyruar të bëjë abort në fillim të majit. Këto akuza janë mohuar nga Giribala Singh, e cila thotë se vetë Twisha ka kërkuar abortin.

“Twisha po fliste me nënën e saj kur papritur linja u ndërpre,” ka thënë ai, duke shtuar se thirrjet e tyre nuk u përgjigjën për 20 minuta, pas së cilës Giribala Singh u përgjigj dhe tha: “ajo nuk është më”.

Familja ka ngritur pikëpyetje pse nuk është njoftuar policia menjëherë, ndërsa Giribala Singh thotë se fillimisht e kanë dërguar në spital.

Ish-gjyqtarja, e cila është e përfshirë në kallëzimin policor, është kritikuar edhe për deklaratat publike ku ka folur për shëndetin mendor të Twisha-s dhe e ka quajtur “liberale”, duke nxitur reagime të forta në opinion.

Familja e Twisha-s i ka quajtur këto deklarata përpjekje për të njollosur figurën e saj.

Policia në Bhopal ka thënë se ka pasur mangësi në hetim, por sipas raportit të autopsisë dhe hetimeve paraprake, rasti duket si vetëvrasje. Megjithatë, familja këmbëngul se bëhet fjalë për vrasje dhe pretendon se persona me ndikim po përpiqen të ndikojnë hetimin.

Rasti tashmë do të hetohet nga Byroja Qendrore e Hetimeve (CBI), pasi autoritetet shtetërore kanë premtuar bashkëpunim të plotë.

Të ngajshme

Londrimi bën veprimin e papritur, çfarë po ndodh me të?

Blearta

Operacion anti-drogë në Stamboll, lëshohet urdhër-arresti për aktoren e njohur

Valjeta Turkaj

Rita Ora publikon datat e turneut të saj veror

Valjeta Turkaj