Telenews

“informacione indirekte”: Ja pse u rrëmbyen tre policët e Kosovës

Politikani opozitar serb Boban Bogdanoviq, i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i Institutit për Strategji Euro-Atlantike, ka pretenduar se ka zbuluar arsyen se pse tre policë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer të mërkurën e kaluar nga autoritetet serbe.

Duke thënë se është informuar në mënyrë indirekte, ai shkroi në Twitter se rrëmbimi i tre oficerëve kosovarë ka ndodhur pasi sipas tij, të njëjtit kanë zbuluar bartjen e paligjshme të armëve përtej kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se rrëmbimi i tyre është bërë në bashkëpunim me formacionet paraushtarake të kreut kriminal serb, njëherësh nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq dhe nën mbrojtjen e autoriteteve serbe.

Radojçiq gjithashtu është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC) dhe po kërkohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës.

“Jam informuar indirekt, se arsyeja e rrëmbimit të policëve të Kosovës është se kanë zbuluar bartjen e paligjshme të armëve përtej kufirit Serbi dhe Kosovë dhe në bashkëpunim me formacionet paraushtarake Radoiçiq dhe nën mbrojtjen e pjesëtarëve të njësiteve antiterroriste të policisë serbe”, ka shkruar Bogdanoviq, transmeton Paparaci.

Për kidnapimin e tre policëve kosovarë, kryeministri Kurti ka kërkuar edhe të hënën lirimin e menjëhershëm të tyre, pa vonesa e pa kushte. Kurti deklaroi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i ka vizituar të martën tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”, tha ai.

Kurti theksoi se policët janë rrëmbyer dhe se një veprim i tillë ka qenë hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të, siç ka thënë, luftimit të krimit të organizuar. Sipas Kurtit, Serbia “me këto akte agresioni” synon destabilizim në Kosovë. Përveç liderëve të Kosovës, lirimin e tyre e kanë kërkuar edhe ShBA-të bashkë me BE-në.

Por, gjer më tani nuk ka pasur ndonjë sinjal nga ana e Serbisë për t’i liruar policët kosovarë që u rrëmbyen në territorin e Kosovës më 14 qershor.

Të ngajshme

Haziri mesazh të fuqishëm Hysenit: Më 12 tetor përfundojnë mashtrimet dhe manipulimet

Donat Hashani

Përmbyset edhe Plazhi i Madh i Ulqinit

Donat Hashani

Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet lokale

Donat Hashani