Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e ka konfirmuar mbetjen e Kosovës jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Ajo, në një deklaratë për media, ka thënë se ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të KiE-së kanë vendosur kundër thirrjes së një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës.
“Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, tha Gërvalla.
Gërvalla, tha se ky vendim i Komitetit të Ministrave të KiE-së është në shpërputhje me votimin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së për pranimin e Kosovës, derisa kushtëzimin e anëtarësimit me zbatimin e Asociacionit e quajti “joformal e arbitrar”.
“Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh”, tha Gërvalla.
Gërvalla tha se është tërhequr nga zotimi për dërgimin e një draft-statuti të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, siç shkroi dje në letrën dërguar Komitetit të Ministrave të KiE-së.
“Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, tha Gërvalla.
Kryediplomatja theksoi se Qeveria “nuk ka lënë gur pa lëvizur” për anëtarësimin e Kosovës në KiE, “gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, për interesin e Kosovës.”

