SIPRI paralajmëron për një garë të re të armatimeve bërthamore, ndërsa kontrollet dobësohen. IA dhe teknologjitë e tjera po ndryshojnë. Kush do të ketë kontrollin?
Nëntë shtete zotërojnë zyrtarisht armë bërthamore – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Izraeli, Rusia, Kina, Koreja e Veriut, India dhe Pakistani. Pothuajse të gjitha kanë vazhduar programet intensive të modernizimit në vitin 2024, duke përmirësuar armët ekzistuese dhe duke shtuar versione të reja.
Ky është një nga gjetjet kryesore të raportit të vitit 2025 nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).
90% e potencialit bërthamor – dy shtete
Hulumtuesit e SIPRI arrijnë në përfundimin se nga 12.241koka bërthamore të vlerësuara në total në janar 2025, rreth 9.614 ishin në potencialet ushtarake – të montuara në raketa, të vendosura në baza me forca operative, ose në depo qendrore nga të cilat mund të vendoseshin.
Rreth 3.912 prej këtyre kokave bërthamore janë vendosur në raketa dhe avionë, ndërsa rreth 2.100 janë në gjendje gatishmërie të lartë për raketa balistike.
Pothuajse të gjitha këto koka bërthamore, rreth 90 për qind, i përkasin Rusisë ose Shteteve të Bashkuara. Por vlerësohet se edhe Kina mund të ketë tani disa koka bërthamore në raketa.
Analistët e SIPRI-t paralajmërojnë se gjithnjë e më shumë shtete po shqyrtojnë zhvillimin e armëve bërthamore, me debate kombëtare mbi statusin dhe strategjinë bërthamore.
Kjo përfshin rregulla të reja për vendosjen e armëve bërthamore: Rusia pretendon se ka vendosur armë bërthamore në territorin e Bjellorusisë, ndërsa disa anëtarë të NATO-s në Evropë kanë treguar gatishmëri për marrjen e armëve bërthamore amerikane.
Në fund të fundit: arsenalet bërthamore të botës po rriten dhe po përmirësohen. SIPRIvlerëson se Kina tani ka të paktën 600 koka bërthamore. Arsenali i saj po rritet më shpejt se ai i çdo vendi tjetër.
Besohet se India e ka zgjeruar pak arsenalin e saj bërthamor në vitin 2024, ndërsa Pakistani ka vazhduar të zhvillojë sisteme të reja të shpërndarjes së armëve bërthamore – raketa dhe platforma të tjera ushtarake që mund të shpërndajnë koka bërthamore në objektiva. Në të njëjtën kohë, ka vazhduar të grumbullojë materiale të zbërthyeshme, një lëndë e parë kyçe për armët bërthamore.
Izraeli, i cili kreu sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane më 13 qershor, duke vrarë udhëheqës ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë, vazhdon të fshehë informacione rreth aftësive të veta bërthamore.
Megjithatë, besohet se është në procesin e modernizimit të arsenalit të tij si dhe të përmirësimit të objektit të prodhimit të plutoniumit në shkretëtirën e Negevit.
Fundi i çarmatimit bërthamor – pas rënies së BRSS-së
Në mesin e viteve 1980, numri i kokave bërthamore, bombave dhe predhave në botë ishte shumë më i lartë se sa është tani – rreth 64.000. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe fundi i Luftës së Ftohtë, çmontimi i kokave bërthamore të nxjerra nga përdorimi, ato të hequra nga arsenali bërthamor, ka ecur më shpejt sesa vendosja e kokave të reja bërthamore.
Megjithatë, sipas vlerësimit të fundit, kjo tendencë duket se është përmbysur. “Shqetësimi ynë më i madh është se zvogëlimit afatgjatë të numrit të kokave bërthamore po i vjen fundi”, tha për DW drejtori i SIPRI-t, Dan Smith.
Siguria ndërkombëtare është përkeqësuar
Është praktikë e zakonshme që shtetet e armatosura me armë bërthamore të modernizojnë dhe përmirësojnë aftësitë e tyre. Por Smith thotë,se ky proces u intensifikua në fund të mandatit të dytë të ish-Presidentit të SHBA-së Barack Obama (nga viti 2013 deri më 20 janar 2017) me investime më të mëdha në breza të rinj raketash dhe transportuesish.
“Për disa vite para kësaj, siguria rrezikohej dhe shtetet e armatosura me armë bërthamore kishin filluar tashmë të prezantonin procese që mund t’i quajmë modernizim ‘intensiv’, domethënë jo vetëm ndryshime të vogla, por ndryshime serioze dhe të mëdha”, tha Smith.
Në vitin 2007, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në të cilin kritikoi ashpër rendin botëror të dominuar nga SHBA-ja, zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes dhe qasjen ndaj çarmatimit që, sipas tij, kërcënonte sigurinë ruse.
Por vetëm dy vjet më vonë, në vitin 2009, Barack Obama njoftoi objektivin për çarmatim të plotë bërthamor në Pragë. “Ekzistenca e mijëra kokave bërthamore është trashëgimia më e rrezikshme e Luftës së Ftohtë”, tha ai në atë kohë.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmerrnin hapa konkretë drejt një bote pa armë bërthamore” dhe do të negocionin një Traktat të ri për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START) me Rusinë. Ky Traktat u nënshkrua dhe hyri në fuqi në vitin 2011.
Pushtimi rus i Ukrainës
Megjithatë, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, administrata Biden publikoi një strategji bërthamore të vitit 2022 që renditi modernizimin e arsenalit bërthamor të SHBA-së si një nga prioritetet e saj kryesore.
Në shkurt 2023, presidenti Putin nënshkroi një ligj që pezullonte pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri START.
“Pasiguria është rritur ngadalë që nga viti 2007-2008, deri në vitin 2014. Kjo ndryshoi rrënjësisht në shkurt 2022, kur shumë qytetarë të zakonshëm u bënë të vetëdijshëm për përkeqësimin që kishte ndodhur për më shumë se një dekadë,” tha Smith. Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e reja rrisin rrezikun e luftës bërthamore
Në hyrje të raportit SIPRI për vitin 2025, Smith paralajmëron për mundësinë e një gare të re të armëve bërthamore që bart “shumë më shumë rrezik dhe pasiguri” sesa gjatë Luftës së Ftohtë – kryesisht për shkak të inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja në fushat e aftësive kibernetike dhe sistemeve hapësinore.
“Gara e ardhshme për armë bërthamore do të jetë po aq e rëndësishme sa ajo për Inteligjencën Artificiale dhe hapësirën kibernetike, për raketat në bunkerë, në nëndetëse ose bombat në aeroplanë,” tha Smith.
Kjo e ndërlikon më tej çështjen se si të kontrollohen dhe monitorohen armët dhe rezervat bërthamore, pasi konkurrenca midis fuqive bërthamore më parë ka qenë kryesisht çështje numrash.
Ka kohë që është hapur një debat rreth IA në kontekstin e të ashtuquajturve “robotë vrasës” (sisteme autonome armësh vdekjeprurëse). Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia është hapur debati edhe për përdorimin e dronëve automatikë dhe gjysmë-automatikë, por jo aq shumë sa armët bërthamore.
Kush do ta luajë Petrovin?
IA lejon përpunimin e shumë informacioneve për një kohë jashtëzakonisht të shpejtë. Ndaj edhe vendimet duhet të merren shpejt. Por vetëm një gabim i vogël në IA mund të ketë pasoja të rënda dhe mund të çojë potencialisht në një sulm bërthamor.
“Mendoj se duhet të ketë një vijë të kuqe për të cilën të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë duhet të bien dakord – që vendimi për të lëshuar një armë bërthamore nuk duhet të merret nga IA”, tha Smith, duke kujtuar nënkolonelin sovjetik Stanislav Petrov.
Në vitin 1983, Petrov ishte në detyrë në qendrën e komandës së paralajmërimit të hershëm bërthamor sovjetik, 100 kilometra në jug të Moskës, kur sistemi raportoi lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale nga SHBA, dhe më pas katër të tjera.
Për fat të mirë, Petrov mendoi se ishte një alarm i rremë dhe vendosi të mos e kalonte menjëherë informacionin lart në zinxhirin e komandës – një vendim që ndoshta parandaloi një hakmarrje bërthamore, dhe në rastin më të keq, një luftë bërthamore të përgjithshme.
“Mendoj se pyetja më e madhe është: Kush në botën e IA do të luajë rolin e Petrovit?”