Interi është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Parmën për sulmuesin francez Ange-Yoan Bonny, në një operacion që pritet të mbyllet për 24 milionë euro, sipas raportimeve nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano.
Sulmuesi 21-vjeçar ka qenë prej muajsh në radarët e klubit zikaltër, por interesimi u shtua ndjeshëm pas ardhjes së Cristian Chivut—ish-trajner i Parmës—në stolin e Interit si pasues i Simone Inzaghit. Për të siguruar shërbimet e Bonny-t, drejtuesit e Interit janë detyruar të rrisin ofertën për shkak të konkurrencës nga skuadra gjermane Stuttgart.
Aktualisht, dy klubet janë shumë pranë akordit për një shumë fikse prej 24 milionë eurosh, duke u afruar kështu me kërkesën fillestare të Parmës prej 25 milionë eurosh. Më herët, Interi kishte propozuar një formulë me 22 milionë euro plus 2-3 milionë në formë bonusesh.
Ange-Yoan Bonny iu bashkua Parmës në verën e vitit 2021 nga skuadra franceze Châteauroux dhe ishte një element kyç në ngjitjen e ekipit në Serie A. Në sezonin që lamë pas, ai regjistroi 6 gola dhe 4 asistime në 37 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian, duke ndihmuar ekipin të siguronte mbijetesën në javën e fundit të kampionatit.